Dy vite burg për ish-sulmuesin e Juventusit, konfirmohet dënimi

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2020, 08:53 | Futboll

Konfirmohet dënimi, dy vite burg për ish-futbollistin e Juventusit dhe kombëtares së Italisë, Vincenzo Iaquinta, për armëmbajtje pa leje.

Dënimi i ish-futbollistit, lindur në Krotone të Kalabrisë, vjen si pasojë e provave të mbledhura gjatë procesit gjyqësor i quajtur “Aemilia”, një nga goditjet më të mëdha të drejtësisë italiane ndaj klaneve mafioze të 'ndrangheta-s kalabreze, me 160 persona të arrestuar.

Në shkallën e parë, i ati i futbollistit, Giuseppe, u dënua me 19 vjet burg me akuzën e “pjesëmarrjes në organizatë mafioze”, ndërsa apeli e uli dënimin në 12 vite burg. Ish-kampionit iu gjet një revolver Smith&Wesson, kalibër 357, si dhe një pistoletë tjetër, bashkë me qindra fishekë. Armët ishin të regjistruara nga Iaquinta, por ai ia kishte kaluar në mënyrë ilegale të atit, i njohur për miqësitë e tij me eksponentë të rrezikshëm të ‘ndranghet-ës. 

Ish-futbollisti i ka hedhur gjithmonë poshtë akuzat ndaj tij dhe babait të tij. “Unë jam 100% i sigurt për pafajësinë e babait tim. Unë besoj te drejtësia dhe do të luftoj deri në fund”, është shprehur ish-futbollisti.

Vincenzo Iaquinta ka luajtur si sulmues me Udinezen dhe më pas për pesë sezone me Juventusin, deri në vitin 2011. Suksesin më të madh sulmuesi e ka arritur me Kombëtaren italiane, ku ka luajtur 40 ndeshje me 6 gola të realizuar, dhe një kupë të ngritur në Botërorin 2006. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos