
Dyfishohen infektimet nga koronavirusi. Java e tretë e qershorit ka shënuar një rritje të rasteve pozitive me Covid-19.
Mbi 130 të infektuar janë konfirmuar 24 orët e fundit, ndërkohë që në fillim të muajit kjo shifër varionte nga 50 deri 65 raste në ditë. Për ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik është një situatë e pritshme për shkak të grumbullimeve, aktiviteteve të ndryshme dhe sezonit turistik.
Nënvarinati Ba2 i Omicron është dominant në këtë periudhë të verës. Sipas epidemiologut Artan Simaku, pjesa më e madhe e të prekurve po e kalojnë si grip dhe pozitiv është fakti që prej javësh nuk ka humbje jete. Edhe numri i të shtruarve në spital ka pësuar një rritje të lehtë.
Aktualisht, po marrin shërbim 8 pacientë, por koha e qëndrimit është shumë më e shkurtër se variantet e para të Covid-19. Ndërkohë, ekspertët e ISHP vijojnë thirrjet për të vijuar vaksinimin pasi vjeshta mund të ketë në qarkullim mutacione të reja të Covid-19. (A2 Televizion)