Dyshohet se po arratisej, Alket Rizai “frikëson” policinë greke, por la burgun me leje

Nga A2 CNN
30 Janar 2021, 12:13 | Kronikë
Dyshohet se po arratisej, Alket Rizai “frikëson” policinë

Alket Rizai, shqiptari i njohur në Greqi për arratisjet e tij spektakolare nga burgjet, ka surprizuar dhe frikësuar policinë helene. Ai u gjet brenda një mjeti luksoz të blinduar në qytetin Lamia, të cilin forcat e rendit po e ndiqnin për disa orë derisa e ndaluan. Pas verifikimeve të kryera rezultoi se Rizai kishte lënë burgun Dhomokos me një leje të posaçme dhe nuk ishte arratisur. Raportimi vjen nga mediat greke që theksojnë se bashkë me Rizain udhëtonte dhe një 36-vjeçar tjetër shqiptar, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasje dhe krime të tjera.

Ky i fundit është arrestuar. “Kathimerini” shkruan se shoferi, një grek i njohur për botën e krimit dhe 36-vjeçari në kërkim, në bashkëpunim me disa shqiptarë të tjerë të arratisur nga burgu grek, Trikala, po organizonin një tjetër arratisje të Alekt Rizait.

Burime thanë për këtë media se policia ka gjetur mbi 5 kilogram eksploziv dhe qindra fishekë kallashnikovi në një automjet të tyre të braktisur në qendër të Greqisë. Autoritetet besojnë se ka prova shtesë që konfirmojnë përfshirjen e tyre në tentativën për arratisje të Alket Rizait.

Shqiptari është mjaft i njohur në Greqi. Ai është arratisur dy herë me helikopter nga burgu i Koridhalos në 2006 dhe 2009. Rizai është dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia greke për dy vrasje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos