E akuzuar për mashtrim, Gjykata e Apelit Tiranë lë në qeli, Tire Alldervishin

Nga A2 CNN
27 Janar 2021, 11:05 | Kronikë
E akuzuar për mashtrim, Gjykata e Apelit Tiranë lë në qeli,

Tire Alldervishi, sanitarja 58-vjeçare e spitalit “Shefqet Ndroqi”, e akuzuar se përfitoi 8 milionë lekë të vjetër përmes mashtrimit nga familjarja e një pacienteje do të vijojë të qëndrojë në paraburgim. Gjykata e Apelit Tiranës refuzoi këtë të mërkurë kërkesën e Alldervishit për lirim nga qelia.

Ndonëse ishte prezente në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, sanitarja e spitalit COVID2, që iu prezantua si infermiere familjares së pacientes, nuk ka dhënë asnjë deklarim. Përmes avokates ajo kërkoi një masë më të butë se “arresti në burg”, duke pretenduar se kishte kaluar Covid dhe mund të rrezikonte të paraburgosurat e tjera, se nuk kishte rrezikshmëri shoqërore dhe se nuk mund të dëmtonte provat.

Argumentet nuk bindën gjykatën, që vlerësoi të drejtë qëndrimin e prokurorit për lënien e saj në qeli. Burime pranë prokurorisë bënë me dije se nga hetimi i deritanishëm janë shtuar dyshimet se rasti për të cilin u denoncua nuk ishte i vetmi në të cilin është përfshirë. Kjo për faktin se nga këqyrja e telefonit të saj janë gjetur biseda të ngjashme me familjarë pacientësh të tjerë të COVID2.

Ndërkohë, prokuroria po verifikon dyshimet nëse Tire Alldervishi ka vepruar e vetme, apo kemi të bëjnë me një skemë zhvatjeje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos