E bujshme në MotoGP, Yamaha pezullon pilotin e tij: Ka sabotuar mjetin

Nga A2 CNN
12 Gusht 2021, 15:32 | Sporte të tjera

Në botën e shpejtësisë, veçanërisht me motoçikletat, janë të shumta rastet e rrengjeve që ekipet i bëjnë njëra-tjetrës, brenda dhe jashtë cirkuitit.

Por rrallë ishte dëgjuar një sabotazh i vërtetë i kryer nga një pilot ndaj ekipit të tij. Por është pikërisht për një akt të tillë të bujshëm që akuzohet Maverick Vinales, një nga pilotët më të shpejtë të MotoGp.  

Me anë të një deklarate zyrtare, Yamaha ka njoftuar pezullimin për spanjollin 26-vjeçar në Çmimin e Madh të Austrisë, pas disa parregullsive që drejtuesit e ekipit japonez kanë vënë re gjatë garës së mëparshme.

Maverick Vinales

Sipas tyre, Vinales ka bërë veprime të dyshimta, që faktikisht kanë dëmtuar motorin e mjetit të tij gjatë garës, dhe si pasojë e kanë detyruar të tërhiqej. Një akuzë e rëndë, edhe pse në deklarata thuhet se me veprimet e tij, piloti mund të vinte në rrezik edhe kolegët e tjerë.

Nuk është “stuhi” e paparashikueshme, kjo midis Vinales dhe Yamahës. Më 28 qershor, spanjolli që shquhet për shpejtësinë e tij, por që për mungesë qëndrueshmërie nuk ka arritur kurrë të shpallet kampion bote në MotoGp, zyrtarizoi se nuk do të vijonte më me Yamaha në sezonin e ardhshëm, dhe me shumë mundësi do t’i bashkohet italianes Aprilia.  

Nga ai moment problemet u shumëfishuan, duke kulmuar në episodin e Çmimit të Madh në Stirisë, ku fillimisht ishte i ati i Vinales që akuzoi japonezët se kishin bojkotuar djalin e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos