
Rruga nacionale që të çon drejt Gramshit edhe pse është një investim i ri dhe deri diku edhe me një pamje piktoreske, për shkak edhe të ndërthurjes me liqenin e hidrocentralit të Banjës, vuan mungesë të theksuar të sinjalistikës.
Persona të papërgjegjshëm kanë dëmtuar me qëllim thuajse të gjithë sinjalistikën reflektuese vertikale që shërben për të orientuar drejtuesit e mjeteve veçanërisht natën dhe në kushte të vështira atmosferike me reshje shiu dhe mjegull.
Institucionet ligjzbatuese dhe ato përgjegjëse për rrugën, prej kohësh e kanë lënë këtë situatë të degradojë akoma më shumë.
Policia deklaron se nuk ka asnjë rast të denoncuar dhe aq më pak persona të ndaluar për këto shkatërrime të qëllimshme. Ndërsa Autoriteti Rrugor nuk ka denjuar as t’i përgjigjet shkresave të Policisë Rrugore të qarkut të Elbasanit, për dëmtimin e sinjalistikës në këtë rrugë. (A2 Televizion)