48 liderë europianë mblidhen në Dublin, alarm për sulmet dhe kërcënimet që tronditin sigurinë e kontinentit

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2026, 17:02 | Bota

48 liderë europianë mblidhen në Dublin, alarm për sulmet dhe

Dhjetëra liderë europianë do të mblidhen këtë të enjte në Dublin të Irlandës, në një kohë kur kontinenti po përballet me një valë incidentesh të dyshuara si sulme hibride, përfshirë kërcënime me bomba, sulme kibernetike dhe ndërhyrje me dronë në hapësirën ajrore të vendeve europiane.

Në takimin e Komunitetit Politik Europian janë ftuar 48 krerë shtetesh dhe qeverish. Në qendër të diskutimeve do të jetë tema “Sigurimi dhe mbrojtja e një Europe demokratike”, ndërsa pritet të trajtohen masat për përballimin e kërcënimeve që synojnë të destabilizojnë vendet perëndimore.

Mbledhja zhvillohet pas një serie incidentesh shqetësuese në disa shtete europiane. Më 6 nëntor, disa media europiane morën kërcënime të rreme për bomba, ndërsa gjatë javëve të fundit janë raportuar alarmime të ngjashme në dhjetëra fluturime në Europë.

Po ashtu, të paktën gjashtë vende raportuan sulme kibernetike ndaj sistemeve të frigoriferëve dhe ngrirësve në supermarkete, ndërsa në Francë janë shënjestruar edhe bankat e gjakut.

Në fokus të bisedimeve pritet të jetë edhe situata e sigurisë në Ukrainë dhe mundësia e arritjes së një marrëveshjeje paqeje, pas rifillimit të negociatave të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Dublin, ndërsa të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë udhëtuar drejt Moskës për t'u takuar me presidentin rus Vladimir Putin.

Zyrtarët amerikanë dhe europianë kanë ngritur shqetësimin për shtimin e sulmeve hibride, të cilat përfshijnë sulme kibernetike, fushata dezinformimi, sabotime dhe goditje ndaj infrastrukturës kritike. Disa prej tyre dyshohet se lidhen me Rusinë dhe Iranin, megjithëse autorësia e disa incidenteve, përfshirë kërcënimet e fundit me bomba, nuk është përcaktuar zyrtarisht.

 

 

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos