
Trajneri i Kombëtares Christian Panucci është ankuar shpesh për mos aktivizimin e lojtarëve kuqezi në kampionatet ku ata luajnë. Këtë të diel, Panucci duhet të ketë fjetur i qetë, sepse legjionarët shqiptarë jo vetëm kanë luajtur mirë, por në shumë raste kanë qenë protagonistë.
Dita triumfale e shqiptarëve nuk mund të mos fillojë me portretin e Eros Grezdës, i gjykuar “Man of the match” në ndeshjen që Glasgow Rangers fitoi bindshëm 7-1 kundër Motherwell.
Sulmuesi shqiptar shkëlqeu duke shënuar dy herë dhe duke dhuruar edhe një asist, duke shpërblyer në këtë mënyrë besimin e trajnerit të tij, të madhin Steven Gerrard, që i dhuroi një fanellë si titullar.
Grezda do të luaj me shokët e tij skocez javën që vjen, por kësaj radhe si kundërshtar, në ndeshjen që Shqipëria do të luaj me Skocinë për Nation League.
Ndërkohë, shumë më në jug në Evropë, një tjetër shqiptar tërhiqte vëmendjen e publikut italian, duke dominuar mbrojtjen e Atalantës kundër sulmuesve të zikaltërve më të famshëm, ato të Interit.
Berat Gjimshiti jo vetëm u tregua i sigurt në mbrojtje, por edhe i rrezikshëm në sulm, duke shënuar me kokë golin e tretë të Atalantës, të parin e tij në Serie A, që shpërfytyroi Interin me rezultatin 4-1. Porta e ekipit të Bergamos mbrohej ndërkohë nga Etrit Berisha, i cili nuk pati mënyrë të tregoi veten madje bëri një gabim që shkaktoi penalltinë e realizuar nga Ikardi.
Dita kuqezi vazhdon me Ergys Kaçen, më në fund protagonist me fanellën e Panathinaikosit në ndeshjen klasike të Greqis, derbin me Olimpiakosin. Mesfushori korçar i dha avantazhin ekipit të tij me një gol vërtet spektakolar në minutën e 61, edhe pse ekipi i tij më pas u ndëshkua në minutën e fundit, duke barazuar rezultatin. Lajm i mirë për Kaçen, pas grumbullimit të papritur në Kombëtare.

Ditës shqiptare në fakt i shtohet edhe supergoli që Xherdan Shaqiri realizoi me Liverpulin kundër Fulham, por kjo është ende një histori tjetër. (A2 Televizion)