“Edhe bankierët kanë zemër”, Draghi dorëhiqet për herë të dytë, zgjedhjet në vjeshtë

Nga A2 CNN
21 Korrik 2022, 12:35 | Bota
“Edhe bankierët kanë zemër”, Draghi dorëhiqet

Italia zhytet edhe më thellë në një krizë politike pa fund. Një vit e gjysmë pasi u emërua si kreu i pazgjedhur i një qeverie uniteti, Mario Draghi ka dhënë dorëheqjen si kryeministër. Ai i tha presidentit Sergio Mattarella se do të tërhiqej, pasi tri parti të koalicionit të tij qeverisës refuzuan ta mbështesin në votëbesimin e mbajtur në Senat gjatë të mërkurës.

Presidenti i kërkoi atij të qëndrojë si udhëheqës i përkohshëm deri në zgjedhjet e parakohshme, që priten këtë vjeshtë. Përpara se të dorëzonte dorëheqjen, Draghi mbajti një fjalim në dhomën e ulët të parlamentit ku u përshëndet me duartrokitje dhe ovacione. Kjo pritje e ngrohtë, e preku pa masë.

 “Edhe bankierëve u preken zemrat ndonjëherë.”

Draghi, 74 vjeç, është një figurë politike që zotëron mjaft popullaritet në Itali. Ai mori nofkën “Super Mario” për ballafaqimin e suksesshëm të krizës së eurozonës kur ishte në drejtim të Bankës Qendrore Europiane.

Megjithatë, një nga partitë në qeverinë e tij me bazë të gjerë refuzoi të mbështesë paketën e tij ekonomike një javë më parë duke zhytur vendin në një krizë politike.

Ndërkohë, zgjedhjet e parakohshme pritet që të zhvillohen në tetor të këtij viti, disa muaj përpara përfundimit të mandatit të këtij legjislacioni. Partitë që pritet të përfitojnë më së shumti nga kriza përfshin Legën e Mateo Salvinit dhe Forza Italia të Silvio Berslucionit. Megjithatë, sondazhet kryesohen nga Fratelli d’Italia me lideren Giorga Meloni që parashikohet të jetë kryeministrja e ardhshme e vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos