
Karantina ka ndryshuar thuajse plotësisht jetën e njerëzve në mbarë botën. Një prej shqetësimeve më të mëdha në këtë periudhë kufizimesh, lidhet edhe me pamjen e jashtme. Kjo nuk vlen vetëm për njerëzit e zakonshëm, por edhe për krerët e shteteve.
Anën njerëzore të ndryshimit të zakoneve e tregoi edhe Presidenti italian, Sergio Mattarella. Në një video, e cila duhej të shërbente si mesazh për popullin e tij në këto momente vuajtjesh të mëdha, zyra e shtypit bëri një gabim të paprecedentë, duke e publikuar videon të paedituar. Në mesazh ishin momentet kur Presidenti ngecte dhe përgjigjja e tij kur stafi i kërkoi të rregullonte paksa flokët: “Eh, Giovanni, as unë nuk shkoj te berberi”.
Vështirësia për t’i dhënë mesazhe popullit në këto ditë të vështira nuk diskutohet dhe lodhja bën të vetën: “Giovanni, të lutem, qëndro në një vend. Nëse ti lëviz, unë të ndjek dhe shpërqendrohem”.
Një president që ndjen peshën e përgjegjësisë për të drejtuar vendin drejt furtunës së shkaktuar nga koronavirusi, por që ashtu si të gjithë, nuk mund të dalë nga shtëpia për të prerë flokët. (A2 Televizion)