Efektet e pandemisë, ishulli i Balit mbyllet për turistët deri në fund të vitit

Nga A2 CNN
25 Gusht 2020, 11:17 | Lifestyle
Efektet e pandemisë, ishulli i Balit mbyllet për turistët deri

Ishulli i Balit në Indonezi nuk do të jetë i hapur për turistët e huaj sërish këtë vit, për shkak të shqetësimeve që lidhen me pandeminë koronavirus.

Autoritetet e destinacionit të njohur turistik hodhën poshtë pohimin e tyre të mëparshme se do të lejonin kthimin e vizitorëve gjatë shtatorit. Plani u anulua pasi Indonezia po përjeton një rritje të rasteve ditore me Covid-19.

Ky vendim ka rikthyer vëmendjen te ndikimi i rëndë që ka në ekonominë e banorëve lokalë, e cila varet kryesisht në industrinë e turizmit.

Miliona të huaj udhëtojnë për në Bali çdo vit në kërkim të plazheve përrallore, tarracave piktoreske të orizit dhe tempujve mahnitës. Por, numri i tyre ka rënë ndjeshëm, që prej momentit kur Indonezia mbylli kufijtë, ashtu si edhe vendet e tjera të botës, si masë për të frenuar përhapjen e pandemisë. Që prej fundit të korrikut, ishulli i është kthyer vizitorëve lokalë për të ndihmuar industrinë e turizmit, një sektor kyç për ekonominë lokale, duke rihapur plazhet, tempujt dhe atraksionet e tjera.

Hotelet dhe restorantet e kanë shumë të vështirë të mbijetojnë, teksa kanë shkurtuar mjaft personelin e shërbimit. Që prej shpërthimit të pandemisë, Indonezia ka raportuar më shumë se 155 mijë të infektuar me koronavirus dhe mbi 6700 viktima.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos