
Vetëm një javë pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, garantoi mbështje për Shqipërinë në përballjen me sulmet kibernetike, një ekip i Aleancës mbërriti në Tiranë.
Ekipi i kryesuar nga zv/asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, James Apparthurai, do të asistojë qeverinë në nivel politik dhe teknik. Në një konferencë të përbashkët me të, ministri i Mbrotjes, Niko Peleshi, konfirmoi edhe një herë se sistemet e mbrojtjes nuk janë prekur nga sulmi kibernetik.
“Sistemeve të Ministrisë së Mbrojtjes, të sigurisë dhe mbrojtjes, ato kanë qenë të paprekura nga sulmi sepse janë të shkëputura, nuk janë në rrjetin e përgjithshëm të komunikimit dhe teknologjisë së informacionit, por pavarësisht kësaj ne kemi rritur gatishmërinë dhe nivelin e vëmendjes dhe sigurisë për të gjitha sistemet tona në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, tha Peleshi.
Zyrtari i lartë i NATO-s, theksoi se Shqipëria nuk është e vetme në këtë rrugëtim:“Unë dhe ekipi im kemi ardhur këtu për disa arsye të ndryshme, por fillimisht arsyeja kryesore është për të parë situatën dhe për të bërë një koordinim të aleatëve dhe zyrave qendrore të NATO-s në lidhje me sulmin kibernetik që ka ndodhur, për të parë nevojat afatgjata që i nevojiten Shqipërisë për të ndërtuar një rrjet mbrojtjeje ndaj këtyre sulmeve kibernetike”.
Në vijim, ekipi i NATO-s do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme, si dhe me përfaqësues të AKSHI-t. (A2 Televizion)