Meksika, falë historisë së pasur dhe vendeve arkeologjike të ruajtura mirë, disa prej të cilave janë ende duke u zbuluar, është një nga vendet me më shumë zona të mbrojtura në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s.
Një nga destinacionet më të famshme, është “Chichen Itza”, një qytetërim i fiseve Maja, rrënjët e të cilëve datojnë që nga shekulli i pestë pas Krishtit. E gjithë historia reflektohet mirë në piramidën qendrore dhe sitet e tjera arkeologjike përqark.

Në këto zona, e veçanërisht në piramidë, njerëzit mblidhen gjatë ekuinoksit të pranverës dhe vjeshtës, ku dielli i vonë i pasdites krijon iluzionin e hijes së një gjarpri që rrëshqet ngadalë nëpër shkallë. Piramida është formuar në mënyrë të atillë, përmes 365 shkallëve që përfaqësojnë 365 ditët e një viti jo të brishtë. Tjetër sekret i saj është edhe akustika që jehon në mënyrë të përsosur falë strukturës perfekte.
Qyteti Mayapan po ashtu ka të tjera piramida si këto, si dhe 4000 struktura të vjetra të ruajtura. Ashtu si pothuajse të gjitha rrënojat në Meksikë, Mayapan është ende duke u gërmuar në mënyrë aktive, sidomos pishinat nëntokësore prej guri, aq shumë të vizituara dhe frekuentuara nga turistët, gjatë ditëve të nxehta.
Ek Balam është një tjetër vend i mistershëm i një qytetërimi të lashtë, rrënojat e të cilës dëshmojnë për monumente kulte të ndërtuara në nder të Zotit të Jaguarit tek i cili besonin, ndryshe nga Mayapan dhe Chichen që i përkushtoheshin Zotit të Gjarprit.
Në këtë mori sitesh arkeologjike, të përbërë nga piramida, pallate mbretërore, varre monumentale, kulte, tempuj, si dhe mbivendosje të kulturës së kolonizatorëve spanjoll, e bëjnë Meksikën një nga destinacionet më unike drejt një udhëtimi në të shkuarën e largët. (A2 Televizion)