Një ditë para protestës së tretë kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike në mbështetje të studentëve të cilët kanë thirrur një tubim të ministria e arsimit, Sali Berisha kërkoi që qytetarët të jenë në shesh poshtë zyrës së Edi Ramës.
“Të bashkohemi në protestën më të fuqishme në mbështetje të revoltës studentore kundër Padrinos së Shqipërisë”, tha Berisha, shkruan A2.
Vetë nuk do jetë as këtë herë mes qytetarëve, por Berisha thotë se suksesi i kësaj proteste nuk është vetëm i studentëve por i të gjithë qytetarëve: “Suksesi i revoltës studentore është sukses i çdo qytetari shqiptar që e do këtë vend. Është sukses i shqiptarëve të të gjitha moshave dhe bindjeve që duan të ndërtojnë jetën në Shqipëri”.
Për të mbërritur te suksesi, Berisha shikon edhe mundësinë e bashkimit, ndaj përsëriti ftesën për të gjitha forcat opozitare: “Kjo thirrje është për një koalicion që të përfshijë çdo faktor që do rrëzimin e Edi Ramës”.
Sherret kërkon t’i lë pas krahëve, duke parë pikat që i bashkojnë dhe jo ato që i ndajnë: “Unë i kam dëgjuar kundërshtitë, por unë prapë i ftoj dhe prapë kam besim se ata që ndihen opozitarë të vërtetë, do të gjejnë forcën dhe moralin e këtij bashkimi”.
Berisha shtoi se koalicioni nuk duhet menduar vetëm për zgjedhjet, por edhe për protestën. (A2 Televizion)