Ambasadorja e Hollandës: Protestat janë në rregull, por dhuna na ka shokuar

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2026, 15:12 | Politikë

Ambasadorja holandeze në vendin tonë ka folur nga Korça mbi zhvillimet e fundit lidhur me protestat e studentëve, por edhe raportin e progresit në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian.

“Protestat na treguan që ka një lloj tensioni në shoqërinë shqiptare, sepse përndryshe njerëzit nuk do të kishin dalë për të protestuar. Megjithatë, ne i qëndrojmë mendimit që protestat janë në rregull, është e drejtë themelore, por dhuna është diçka e cila na ka shokuar, na ka surprizuar”, tha ambasadorja, shkruan A2.

“Ndërsa sa i takon progres-raportit, ai shënon shumë nota pozitive për të cilat Shqipëria ka bërë progres. Megjithatë, njëkohësisht shënohen edhe shumë çështje të cilat kërkojnë akoma vëmendje dhe punë. Çështja e lirisë së medias, lirisë së shprehjes. Unë mendoj që Shqipëria tashmë ka filluar një sërë reformash, siç është Reforma në Drejtësi, e cila tashmë ka arritur në një fazë të re që është faza e konsolidimit dhe besoj që kjo ka të bëjë jo vetëm me atë çfarë është shkruar në letra, por edhe zbatueshmëria e saj”, shtoi ambasadorja e Hollandës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos