
Eksperti i ekonomisë, Ilir Barjaba, deklaroi në “Business News” se ka pasur një klimë pozitive të investimeve të huaja në vendin tonë, përgjatë vitit 2021.
“Këtë e konfirmon edhe raporti i Bankës së Shqipërisë”, tha Barjaba, i cili shtoi se problematikat kryesore janë titujt e pronësisë dhe vendimet e gjykatave.
“Edhe pse Reforma në Drejtësi vlerësohet në raportet ndërkombëtare, përfundimi i saj pritet që të adresojë pasiguritë e investitorëve të huaj për të investuar në vendin tonë”, theksoi Barjaba.
Në lidhje me sektorët më tërheqës për investitorët e huaj, eksperti u shpreh: “Ka pasur shtim investimesh në turizëm. Ne duhet të zhvillojmë turizmin nëpërmjet kompanive të huaja të mëdha”.
Kur u pyet se sa konkurruese është Shqipëria në thithjen e investimeve të huaja, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Barjaba u përgjigj: “Jemi në përmirësim të vazhdueshëm. Vende si Kroacia sigurisht që kanë tjetër hap, por përmirësimi ynë ka qenë i kënaqshëm. Është koha të fokusohemi te diversifikimi i portofolit të investimeve të huaja”. (A2 Televizion)