
Qeveria do të galë garant për të zbutur efektet e çmimeve të larta të energjisë për kompanitë, që nga 1 Janari duhet të dalin në tregun e lirë. Në një tryezë me përfaqësuesit e bizneseve, që kishin ngritur shqetësimin për rritjen e kostove, ministrja e Energjisë Belinda Balluku deklaroi se deri në Qershor do të mundësohet një çmim i zbutur për tensionin e mesëm.
“Do shkojmë në limitin e sakrificës për buxhetin e shtetit dhe të mundësive të operatorëve të energjisë, për të mbrojtur edhe tensionin e mesëm”, deklaroi ministrja.
Administratori i FSHU, kompanisë bijë të OSHEE, Elton Sevrani, zbuloi detaje se sa mund të jenë këto çmime në Janar.
“Në një marrëveshje paraprake me KESH, do të jetë me një nivel 12 lek plus minus, dhe duke marrë parasysh shpenzimet e tjera, çmimi do të jetë rreth 18-19 lekë”, deklaroi ai.
Çmimi do të ndryshojë çdo muaj në varësi edhe të nevojës për të importuar energji. Por ekspertët e tregut të energjisë po shpresojnë në një stabilizim të çmimeve në bursa në Mars, për të mundësuar edhe daljen e plotë të bizneseve në tregun e lirë të energjisë pas Qershorit.
Liberalizimi i tregut është një kërkesë e vazhdueshme që Shqipëria duhet të plotësojë në kuadër të integrimit europian. Por është shtyrë vazhdimisht përgjatë viteve të fundit për shkak të mungesës së kushteve teknike dhe më pas prej tërmetit dhe pandemisë. (A2 Televizion)