
Kriza e çmimeve të energjisë i ka kushtuar qindra miliona euro këtë vit buxhetit dhe kompanive publike, teksa mbrojtja e konsumatorëve familjarë dhe bizneseve do të vazhdojë të rëndojë edhe përgjatë vitit 2022.
Në konferencën e fundvitit për energjinë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se angazhimi për të mbrojtur nga çmimet kompanitë në tensionin e mesëm do të përballohet kryesisht nga KESH, ndërsa do të çlirojë OSHEE për të bërë investimet e nevojshme.
Administratori i OSHEE, Adrian Çela, deklaroi se vetëm si pasojë e rritjes së çmimeve të blerjes, që nuk u reflektuan tek faturat e energjisë, kompania u detyrua të bartë një humbje prej 116 milionë eurosh.
Pas shumë vonesave, Bursa Shqiptare e Energjisë pritet të nisë ndërkohë volumet e para të tregtimit brenda vitit të ardhshëm, duke dhënë një efekt pozitiv në tregjet e Shqipërisë dhe Kosovës.
Vitin e ardhshëm pritet gjithashtu zgjerimi i energjisë së prodhuar nga burimet johidrike, me nisjen e punimeve për konvertimin në gaz të Termocentralit të Vlorës, për të vijuar me parqet diellore, ku po investon KESH me impiantet lundruese në liqenet e hidrocentraleve publike. Por, veçanërisht projektet e mëdha si Parku i Karavastasë, me një kapacitet të garantuar me çmim të ulët, që do të mundësojnë një menaxhim më të mirë të rezervave energjetike, veçanërisht gjatë periudhës së verës.
Qeveria dhe kompanitë publike njoftuan gjithashtu se për të përballuar fluksin dhe për të garantuar furnizimin e pandërprerë për festa, janë angazhuar në terren afërsisht 4 000 punonjës. (A2 Televizion)