Eksportet në krizë, INSTAT: U tkurrën me 4,1%

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2019, 15:27 | Ekonomi

Eksportet shqiptare janë tkurrur ndjeshëm gjatë 11-mujorit, duke sinjalizuar një ngadalësim të mëtejshëm të ekonomisë. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se eksportet arritën vlerën e 277 miliardë lekëve, duke u ulur me 4,1% kundrejt të njëjtës periudhe të një viti më parë.

Importet e mallrave nga ana tjetër arritën në vlerën e 593 miliardë lekë, duke u rritur me 2,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Rënien më të fortë e kanë shënuar tre grupet kryesore, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, për shkak të mungesës së reshjeve,  “Materiale ndërtimi dhe metale”, si dhe “Tekstile dhe këpucë”, të njohura ndryshe si fasonët. Kjo industri, që ka edhe numrin më të lartë të të punësuarve në vend, ka parë këtë vit një tkurrje të eksporteve për shkak të disa faktorëve që lidhen kryesisht me rënien e euros, mosrimbursimin e TVSH-së si dhe problemet që po has sektori në gjetjen e fuqisë punëtore.

Ndërkaq, nga ana tjetër, eksportet janë zgjeruar për zërat makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi, një sektor që pritet të marrë një zhvillim gjatë vitit të ardhshëm për shkak të politikave incentivuese që ka parashikuar qeveria në paketën fiskale që do të hyjë në fuqi nga janari i vitit 2020.

Gjeografia e tregtisë, Italia dhe Greqia partnerë kryesorë

Të dhënat zyrtare tregojnë se ndryshime këtë vit ka pasur edhe në gjeografinë e tregtisë. Italia dhe Greqia mbeten dy partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, teksa në vend të tretë dhe të katërt renditen Kina dhe Turqia, duke zhvendosur kështu vendet europiane si Gjermania etj.

Ndërkaq pranohet zyrtarisht se në tregtinë mes vendeve ka ende probleme, të reflektuara kryesisht te burokracitë administrative. Ky fakt është pohuar edhe nga ministria e financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në konferencën vjetore të CEFTA-s, ky Shqipëria ka edhe kryesimin e radhës. “Palët kanë vlerësuar si të domosdoshme njohjen e cer5tifikatave të produkteve bujqësore dhe mbetemi të angazhuar që këtë proces ta çojmë deri në fund”, tha Denaj.

Megjithatë, ajo shtoi se në fund të vitit të kaluar, shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe vendeve të CEFTA-s tejkaluan vlerën e mbi 750 milionë euro. “Mbi 300 milionë euro në importe dhe 400 milionë euro në eksporte. Trendi pozitiv i këtyre shkëmbimeve tregtare në vitet 2014-2018, ka pësuar një rritje të përvitshme mesatare në nivel prej 6%, ndërkohë që shifrat e 11-mujorit reflektojnë potencial për tejkalimin e realizimit të viteve të shkuara. Ky është një sinjal pozitiv”, tha Denaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos