Ecuria e sipërmarrjes, ekonomia shqiptare ngadalësohet edhe gjatë verës

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2019, 18:58 | Ekonomi

Ekonomia shqiptare nuk ka arritur të rindezë motorët as gjatë periudhës korrik-shtator, duke shfaqur shenjat e ngadalësimit në thuajse çdo fushë të sipërmarrjes.

Në sektorin e shërbimeve, hoteleria ka pasur ecurinë më të mirë duke rritur shitjet me 22,5%, por ndjeshëm larg ritmit prej 37% të një viti më parë. Ecuria ka qenë më e dobët edhe në tregti, transport, bare e restorante, shërbimet arkitekturore dhe inxhinierike, si dhe për agjencitë e udhëtimit. Ndërsa më mirë kanë performuar vetëm bizneset në fushën e informacionit dhe komunikacionit, pas një periudhe të gjatë në tkurrje.

Ngadalësimi i shitjeve shihet edhe tek prodhuesit e të mirave. Industria përpunuese që është dhe dega kryesore e industrisë është rritur me vetëm 5,1%, nga 13% një vit më parë, ndërsa industria nxjerrëse është thuajse në stanjacion. Nga ana tjetër, për mbi 4 mijë sipërmarrjet në fushën e ndërtimit, indeksi i shitjeve ka shënuar rënie me 4,4%. Të vetmit që kanë performuar më mirë kanë qenë koncesionarët dhe kompanitë private në fushën e energjisë.

Vitin e kaluar, rritja ekonomike për tremujorin e tretë kapi kulmin në 4,56%. Këtë vit, me këtë ngadalësim të sektorëve kryesorë të ekonomisë, rënien e eksporteve dhe investimeve publike, si dhe me ngadalësimin e konsumit, pritshmëritë nga ekspertët janë ndjeshëm më të dobëta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos