
Pogradeci ka qenë gjithmonë një qytet i vizituar, kjo për shkak të banorëve miqësorë, të ushqimit të mirë, por mbi të gjitha prej ujërave të pastra të liqenit.
Liqeni i Ohrit, është më i thelli në Ballkan dhe ndër më të vjetrit në botë. Ujërat e tij janë të ftohta pasi furnizimi i tij bëhet nga burime të shumta si ai i Shën Naumit dhe burimi i Tushemisht. Ky liqen është shtëpia e më shumë se 40 specieve ujore të rralla, të cilat e bëjnë atë shumë të rëndësishëm për pogradecarët.
Por sa e vlerësojmë ne këtë qytet dhe sa të pastra i kemi mbajtur ujërat e këtij liqeni?
Klima e këtij qyteti është një kombinim i klimës mesdhetare malore me tiparet e klimës kontinentale, me dimra të ftohtë dhe të thatë ndërsa vera mbizotërohet nga moti i nxehtë.
Pogradeci merr gjatë vitit, një sasi mesatare të reshjeve prej 740 mm ndërsa temperatura mesatare vjetore llogaritet 12°C. Muaji më i ftohtë për pogradecarët është janari, ku temperature mesatare shënon vetëm 3°C, ndërsa më i nxehti është korriku me temperaturë mesatare prej 21.3°C. Por ndër vite, temperaturat e ajrit kanë shënuar rekorde vlerash nga 25 gradë nën zero deri në 39 gradë.
Zakonisht, dimri sjell reshje të dendura dëbore që shpesh arrijnë të bllokojnë edhe qarkullimin brenda zonës sikundër thatësirat janë të shpeshta, gjatë muajve të nxehtë të vitit. Kjo është tabloja klasike e klimës së Pogradecit, por ndryshimet klimatike, si në gjithë globin, edhe në këtë qytet të vogël në juglindje të Shqipërisë, kanë ndikuar motin e muajve dhe stinëve të vitit.
Ndër efektet e para që bien në sy është mungesa e reshjeve të dëborës, e cila vit pas viti është zëvendësuar me reshje shiu. Po ashtu, mëngjeset e freskëta të qytetit juglindor sa vijnë e bëhen më të rralla ashtu si edhe ditët e nxehta të verës që sa vijnë e shtohen, me temperatura mbi 30°C.
(A2 Televizion)