Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur në tryezën e bisedimeve me Voldoymyr Zelenskyy dhe krerët e disa vendeve të BE, se Shtetet e Bashkuara do të ndihmonin Evropën në ofrimin e sigurisë për Ukrainën si pjesë e çdo marrëveshjeje për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Por ai gjithashtu u sugjeroi gazetarëve se nuk besonte më se arritja e një armëpushimi ishte një parakusht i domosdoshëm për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, duke mbështetur një qëndrim të vendosur nga Presidenti rus Vladimir Putin dhe të kundërshtuar nga Zelenskiy dhe shumica e udhëheqësve evropianë.
Këtë herë, Trump dhe Zelenskiy përdorën një ton shumë më miqësor, pavarësisht lëvizjes së presidentit amerikan drejt Rusisë në ditët e fundit pas samitit të tij në Alaska me Putinin.
"Kur bëhet fjalë për sigurinë, do të ketë shumë ndihmë", u tha Trump gazetarëve, duke shtuar se vendet evropiane do të përfshihen. "Ata janë një vijë e parë e mbrojtjes sepse janë atje, por ne do t'i ndihmojmë."
“Rruga është e hapur” për negociata më serioze që do të zhvillohen mbi konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës, tha kancelari gjerman Friedrich Merz. Merz tha se Trump e hapi atë rrugë pasi presidenti i SHBA-së u takua me Presidentin rus Vladimir Putin në Alaska të premten. “Tani rruga është e hapur për negociata të ndërlikuara”, tha ai. Merz përsëriti se udhëheqësit evropianë mezi presin të shohin një armëpushim përpara se të zhvillohen bisedime të tjera.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, thotë se oferta e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për garanci sigurie për Ukrainën përbën një "përparim" në sigurimin e një marrëveshjeje të mundshme paqeje për Ukrainën.
Duke folur më parë në Zyrën Ovale së bashku me Zelensky, Trump nuk e përjashtoi dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë për të ndihmuar në ruajtjen e një marrëveshjeje të mundshme paqeje. "Do t'ju njoftojmë për këtë, ndoshta më vonë sot", tha Trump.
E ndërsa Presidenti Trump foli për një takim trepalësh midis tij, Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Presidenti francez Emmanuel Macron ofron një ide: një udhëheqës evropian në tryezën e bisedimeve gjithashtu. "Mendoj se si vazhdim, do të na duhej ndoshta një takim katërpalësh. Sepse kur flasim për garanci sigurie, flasim për të gjithë sigurinë e kontinentit evropian", tha ai.
Në takimin e tij dypalësh me Donald Trump në Zyrën Ovale, Volodymyr Zelensky dha më shumë detaje mbi garancitë e sigurisë që ai dëshiron për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ai u përgjigj shkurt, "gjithçka". Por më pas ai hyri në detaje. "Para së gjithash, një ushtri e fortë ukrainase: armë, personel, trajnim dhe inteligjencë. Pjesën tjetër do ta diskutojmë me partnerët tanë. Varet nga vendet kryesore, Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë miqtë tanë", u përgjigj ai.
Duket e pamundur që Trump ta pranojë këtë ide, të paktën në afat të shkurtër, ndërsa punon për t'i dhënë fund luftës. Por pika e Macron nënvizon se sa shumë është në lojë jo vetëm për Ukrainën në bisedimet e sotme, por edhe për pjesën tjetër të Evropës. (A2 Televizion)