
Gjykata la në burg Sebastian Malin, i arrestuar së bashku me dajën e tij Viktor Marku për vrasjen e Hekuran Billës. Seanca u zhvillua paraditen e kësaj së diele pa praninë e medias.
Avokati Ilir Murati kërkoi lirimin nga qelia me pretendimin se klienti i tij nuk ka lidhje me ngjarjen, por gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë duke e lënë në qeli.
Për ekzekutimin e 40-vjeçarit policia prangosi dhe Viktor Markun, vëllain e Prel Markut, të vrarë nga Billa në vitin 2006 në Angli. Marku u kap nga autoritete malazeze në Tuz teksa po tentonte të largohej me identitet tjetër.
Ai iu dorëzua autoriteteve shqiptare në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit ndërsa sipas autoriteteve qëndronte në mënyrë të parregullt në shtetin fqinj. Viktor Marku dyshohet si autor kryesor i ekzekutimit të Hekuran Billës pranë zonës së Komunës së Parisit.
Sipas hetuesve edhe nipi i tij 22-vjeçar Sebastian Mali ka bashkëpunuar në krim pasi ka njoftuar vrasësit për lëvizjet e viktimës.
Mbi Hekuran Billën u derdhën 19 plumba automatiku ndërsa 40-vjeçari kishte vetëm 5 ditë që kishte hyrë në Shqipëri nga Hani i Hotit. Policia dyshon se në atentat kanë bashkëpunuar dhe persona të tjerë ndërsa gjatë kontrolleve në ambiente servisesh, lokalesh, por dhe banesash u kap një 32-vjeçar. Në momentin që policia hyri në lokal, i riu tentoi të largohej me vrap, por u kap nga forcat operacionale ndërsa mbante me vete një pistoletë. (A2 Televizion)