
Policia nuk ka asnjë të dhënë konkrete mbi identitetin e autorëve që ekzekutuan 38-vjeçarin, Ilir Kuçi, në Durrës. Shkak i vrasjes dyshohet prishja e pazareve të drogës.
Kamerat e sigurisë në ekzekutimin e 38-vjeçarit, Ilir Kuçi, në Durrës nuk kanë mundur të fiksojnë jo vetëm dy atentatorët, por dhe të dhënat e automjetit që ata përdorën.
Sipas hetuesve, viktima i cili fillimisht mbeti i plagosur, por ndërroi jetë vetëm pak minuta më pas në spitalin e Durrësit, u qëllua nga një automjet në lëvizje, por që ende nuk është identifikuar për shkak të cilësisë së dobët të pamjeve filmike.
Ilir Kuçi, nga këqyrja e sistemit rezulton që të ketë ndryshuar emrin nga Edmir Begu në Ilir Kuçi apo edhe Jetmir Begu, ndërsa ka udhëtime të shumta drejt Italisë.
Për këtë, policia dyshon se eliminimi i tij ka të bëjë me aktivitetin jashtë vendit, atë të trafikimit të drogës.
Kuçi jetonte në zonën e ish-kënetës në Durrës, ndërsa u qëllua me breshëri automatiku sapo doli nga makina e tij fuoristradë, në lagjen 16.
Për shkak të motit të keq, në zonë kishte shumë pak lëvizje njerëzish, gjë që i favorizoi autorët. Ata mundën që të largohen pa u pikasur, ndërsa policia nuk ka asnjë dëshmitar në vendngjarje. (A2 Televizion)