Ekzekutohet me armë Pjerin Xhuvani në Elbasan, arrestohet autori i dyshuar

Nga A2 CNN
21 Prill 2021, 16:27 | Kronikë
Ekzekutohet me armë Pjerin Xhuvani në Elbasan, arrestohet autori i

Elbasani tronditet sërish nga ngjarjet kriminale. Vetëm katër ditë para ditës së zgjedhjeve të 25 prillit, ka mbetur i vrarë me armë Pjerin Xhuvani, ish-kryetar i LSI-së në Elbasan, ish-zyrtar dhe së fundmi simpatizant aktiv i Partisë Socialiste në degën e Elbasanit.

Përveç Xhuvanit në ngjarje mbeti i plagosur rëndë edhe dhëndri i tij si dhe një punonjëse e policisë e repartit Shqiponja, e cila mbeti e plagosur në këmbë. Pak minuta pas kësaj ngjarje të rëndë policia ka vënë në pranga ish-punonjësin e policisë, Arbër Papleka, i cili dyshohet si autor i vrasjes së Xhuvanit.

Rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë janë ende të paqarta. Të dhënat nga vendngjarja flasin se viktima ka qenë në një mjet tip fuoristrade pa targa, kur është konfliktuar me disa persona të tjerë, pranë zyrave elektorale të PD në lagjen 5 maji të qytetit të Elbasanit.

Dëshmitarë në vendngjarje tregojnë se kanë dëgjuar disa të shtëna, por ende është e paqartë dinamika. Ndërkohë autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje të rëndë, njihej edhe si shoqërues i drejtuesit politik të PD-së për qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi.

Nga ana tjetër, viktima Pjerin Xhuvani është akuzuar nga Partia Demokratike si organizator i përplasjes me simpatizantët e PD-së në Ditën e Verës në datën 14 mars.

Përveç dëshmitarëve okularë, kamerat e sigurisë në vendngjarje pritet të japin një panoramë më të qartë të asaj që tronditi sërish qytetin e Elbasanit në prag të zgjedhjeve parlamentare.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos