
Spitali rajonali Elbasanit prej gati një muaji po përballet me një fluks të shtuar të personave që kërkojnë ndihmë nga urgjenca pranë këtij spitali. Shkaku kryesor i komplikacioneve mbeten virozat e stinës, të cilat kur i mbivendosen sëmundjeve të tjera kronike që kanë pacientet, shkaktojnë situatë më të rënduara shëndetësore dhe disa prej pacientëve shtrohen edhe në pavijone.
"Duke filluar nga mesi i nëntorit kanë filluar raste virale ku paraqiten deri në 100 raste në 24 orë, ka edhe disa me komplikacione”, thotë për A2 CNN Ergys Mici, shef i urgjencës, spitali rajonal Elbasan.
Sipas mjekut, popullata veçanërisht ato me sëmundje sheqeruese duhet të marrin vaksinat e stinës në mënyrë që komplikacionet të jenë sa më të lehta.
Sakaq, një situatë e rënduar paraqitet edhe në repartin e pediatrisë së spitalit rajonal të Elbasanit. Shefja e pediatrisë Irena Palloshi tregon rastet, shtrimet, si dhe komplikacionet që shfaqen te fëmijët.
“Ka dy-tri javë me ritme të rritura, pavijonet janë plot, kemi fëmijë me bronkopneumoni, astmë, kryesisht në rrugët respiratore”, thotë ajo.
Pediatrja këshillon nënat që fëmijët t’i mbajnë në ambiente të ajrosura dhe larg vendeve me grumbullim njerëzish. Gjithashtu, ajo apelon që ndihmën e parë ta marrin te mjekët e familjes pasi një pjesë e rasteve që paraqiten në urgjencë nuk janë për një trajtim të tillë. (A2 Televizion)