Elbasan, shpërthim në një lokal në qendër të qytetit, dyshohet nga konkurrenca

Nga A2 CNN
4 Gusht 2020, 13:02 | Aktualitet

Qyteti i Elbasanit nuk po gjen dot qetësi në këto ditët e fundit. Një shpërthim në orët e para të mëngjesit ka zgjuar dhunshëm banorët e lagjes Luigj Gurakuqi në qendër të qytetit. Pikërisht në bulevardin kryesor, rreth orës 4 të mëngjesit ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e cila ishte vendosur në ambientet e jashtme të një prej lokaleve më të frekuentuara. Lokali administrohet nga dy vëllezër, Krios dhe Mateo Toci, ky i fundit ish-futbollist i Elbasanit. Fatmirësisht nga shpërthimi janë shënuar vetëm dëme të konsiderueshme materiale dhe natyrisht ankth dhe frike tek banorët e lagjes. Policia e shkuar në vendngjarje ka nisur hetimet dhe dyshimet e para janë se shpërthimi mund të ketë lidhje me konkurrencën në këtë zonë ku operojnë shumë lokale, por pa ndonjë pistë konkrete. Ndërkohë jo shumë larg këtij vendi, në të njëjtën lagje rreth një javë më parë u vra me mjete të forta Florina Lamçe, ndërsa një tjetër person u gjet i vrarë dhe i masakruar me mjete të ftohta pranë varrezave të qytetit. Shpërthimi më i fundit ka rikthyer shpejt friken e ngjarjeve kriminale në qytetin e Elbasanit, i cili këtë verë duket se nuk po gjen qetësi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos