
Prania në Bjellorusi e 8 000 ushtarëve që i përkasin Grupit Wagner, të gjithë të dëbuar nga Rusia pas tentativës së tyre për rebelim fundjavën e kaluar, shqetëson vendet e Bashkimit Evropian që kufizojnë vendin e kryesuar nga Aleksandr Lukashenko.
Njëra prej tyre, Polonia, do të përforcojë kufirin (rreth 400 kilometra) me shtetin bjellorus. Ka qenë zëvendëskryeministri i Polonisë, Jaroslaw Kaczynski, i cili ka raportuar këtë vendim: “Këto janë elementë të rrezikshëm për Ukrainën dhe ukrainasit e dinë këtë. Është potencialisht e rrezikshme edhe për Lituaninë dhe mund të jetë e rrezikshme edhe për ne”.
Përfaqësuesi i ekzekutivit polak e cilësoi qëndrimin e paraushtarakëve të Wagner-it si një “element të rrezikshëm” dhe foli për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit: “Kjo mund të nënkuptojë një fazë të re të luftës hibride, një fazë shumë më të vështirë”.
Anëtarë të tjerë të qeverisë, si ministri i Mbrojtjes Mariusz Blaszczak, shpjeguan se bashkëpunimi i Forcave të Armatosura dhe Gardës Kufitare, përgjegjëse për sigurinë kufitare, është kyç për “forcimin e sigurisë së vendit”.
Një tjetër nga ata që justifikuan masën ishte kryeministri polak, Andrzej Duda, i cili foli edhe për rrezikun që mund të përbënte strehimi i ushtarëve të Wagner për vendet fqinje të Bjellorusisë: “Është e vështirë për ne sot të përjashtojmë që prania e tyre mund të përbëjë një kërcënim potencial për ne dhe një kërcënim për Lituaninë dhe Letoninë”.
Nga ana e saj, NATO u ofroi këtyre vendeve garanci të mjaftueshme përmes Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Jens Stoltenberg: “Ne i dërgojmë një mesazh të qartë Moskës dhe Minskut se NATO është atje për të mbrojtur çdo aleat, çdo centimetër të territorit të NATO-s”.
Megjithatë, ai konfirmoi se është “shumë herët” për të nxjerrë përfundime.
Çfarë thotë Neni 5 i NATO-s?
“Palët bien dakord që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre, i ndodhur në Evropë ose në Amerikën e Veriut, do të konsiderohet si një sulm i drejtuar kundër të gjithëve dhe, në përputhje me rrethanat, ata bien dakord që nëse ndodh një sulm i tillë, secili prej tyre, në ushtrimin e të drejtës së mbrojtjes legjitime individuale ose kolektive, të njohur nga neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë Palën ose Palët e sulmuara në këtë mënyrë, duke miratuar më pas, individualisht dhe në marrëveshje me Palët e tjera, masat që gjykojnë të nevojshme, duke përfshirë përdorimin e forcës së armatosur, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë në rajonin e Atlantikut të Veriut”. (A2 Televizion)