Eliminimi i presidentit të Haitit, arrestohet rekrutuesi i komandës së vrasësve

Nga A2 CNN
12 Korrik 2021, 07:45 | Bota

Policia e Haitit njofton se ka arrestuar një qytetar haitian nën akuzën se rekrutoi për objektiva politike komandën që ekzekutoi presidentin, Jovenel Moise.

Sipas hetuesve, 63-vjeçari Christian Emmanuel Sanon e kishte rekrutuar ekipin me 26 komando, përmes një shoqërie sigurie venezueliane të quajtur Ctu, me seli në Florida.

Atentati ndaj presidentit Moise ndodhi më 7 korrik kur mercenarët e huaj hynë në rezidencën private të tij në mes të natës dhe qëlluan menjëherë.

Mbetet ende e paqartë se kush qëndron pas këtij sulmi, megjithatë anëtarë të opozitës ngrenë dyshime lidhur me atë çfarë ndodhi.

Ndërkohë, falë edhe një vakumi ligjor, në vend ka nisur edhe një “luftë” për pushtet. Për momentin, presidenti në detyrë, Claude Joseph, pretendon se është personi që duhet të drejtojë vendin. Por vrasja e Moise u bë vetëm një ditë pasi ai e kishte shkarkuar Joseph nga posti i kryeministrit, duke emëruar Ariel Henry si pasues të tij.

Vendi i varfër i Karaibeve është përballur me paqëndrueshmëri politike në muajt e fundit që ka sjellë një shpërthim protestash të dhunshme, rrëmbimesh dhe krim të organizuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos