
Numri i personave që kanë humbur jetën, nga koronavirusi në botë, është 3802. Në Evropë, numrin më të lartë e ka Italia, me 366. Ritmi i shpejtë i përhapjes së koronavirusit ka bërë që Këshilli i Ministrave atje të izolojë pjesën më të prekur deri më 3 prill. Kush nuk zbaton rregullat, rrezikon 3 muaj burg.
Italia izolon 25% të vendit dhe hyrjet e daljet do të bëhen vetëm në rastin e emergjencave familjare apo të punës. Ky është dekreti që firmosi mbrëmë kryeministri Giuseppe Conte.
“Në këto territore do të vendosim një regjim dhe masa mbrojtëse më rigoroze se tjetërkund”, tha Conte.
Arsyeja është shpejtësia e përhapjes së koronavirusit që i ka marrë jetën 366 personave, ndërkohë që mbi 7300 numërohen të sëmurët.
“Po përballemi me një emergjencë kombëtare. Po e përballojmë me vetëdije, pa e nënvlerësuar. Ndaj, po punojmë intensivisht gjatë këtyre ditëve për të garantuar shëndentin e qytetarëve tanë”, theksoi Conte.
Dekreti i “karantinës” përfshin Lombardinë dhe 14 krahina të tjera në të cilat, përveç lëvizjes, ndalohet çdo aktivitet që përbën mbledhje të turmave si shkollat, aktivitetet sportive, civile apo fetare. Baret dhe restorantet do të qëndrojnë të hapura nga ora 6:00 deri në orën 18:00, me kusht që klientëve t’u krijohet hapësira prej 1 metër distancë nga të tjerët.
Do të mbyllen teatrot, kinematë dhe diskotekat. Nuk vlen ky urdhër për kishat, në rast se ato marrin përsipër shmangien e mbipopullimit të ambienteve të tyre.
Për të siguruar zbatimin e këtyre masave mund të përdoren policia, zjarrfikësit, por edhe forcat e armatosura. Shkelësit e këtyre rregullave rrezikojnë deri në 3 muaj burg. (A2 Televizion)