Ëndrra për finalen, Italia luan kundër tabusë Spanjë

Nga A2 CNN
15 Qershor 2023, 12:21 | Futboll
Ëndrra për finalen, Italia luan kundër tabusë Spanjë

Në kërkim të finales së pestë italiane në harkun e pak ditëve. Por ndryshe nga Interi, Roma, Fiorentina dhe skuadra e 20-vjeçarëve, përfaqësuesja e Italisë kërkon që të ngrejë trofeun. Skuadra e Roberto Mancinit duhet të kalojë më parë pengesën me emrin Spanjë në Nations League.

Ky duel do të jetë përsëritja e ndeshjes së luajtur në gjysmëfinalet e vitit 2021, kur “Furia e Kuqe” mposhti italianët që ishin kampionë të Evropës në fuqi dhe më pas u mundën në finale nga Franca.

“Spanjollët kanë dominuar gjatë në arenën ndërkombëtare dhe tani po ndryshojnë brezin, ashtu si ne. Kanë një staf teknik të ri, por për kualitetin e lojtarëve që kanë mbeten një kundërshtar tejet i vështirë. Do të shohim nëse do të jemi të zotët për ta fituar këtë ndeshje. Për ne është bukur që u kualifikuam mes katër finalisteve, pasi kaluam një grup të vështirë”, tha Mancini.

“Kemi mundësinë që të fitojmë një trofe, është një shans historik. Nuk mund të mendojmë se jemi të detyruar të fitojmë. Padyshim që i kemi cilësitë për të fituar çdo trofe, por kjo vlen edhe për skuadrat e tjera. Italia është e ngjashme me ne. Jam besimtar, besoj te kauzat dhe mund të shkruajmë historinë. Vetëm kjo ka rëndësi”, u shpreh trajneri spanjoll De La Fuente.

Kjo do të jetë përballja e 13-të në histori ndërmjet Italisë dhe Spanjës. Rezultatet e ndeshjeve janë thuajse në ekuilibër, por të kaltrit duhet të evitojnë ekzekutimin e penalltive, pasi janë ndëshkuar gjithmonë nga iberikët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos