
Një vit nga nisja e Europianit 2024. Numërimi mbrapsht u shënua nga kancelari gjerman Olaf Scholz, që e cilësoi këtë si “ndeshje në shtëpi për Europën” dhe një shembull i organizimit të qëndrueshëm.
Nga data 14 qershor deri më 14 korrik, Gjermania do ta organizojë eventin më të rëndësishëm të futbollit kontinental në dhjetë qytete të ndryshme, ku ndryshe nga vendet e tjera nuk do të jetë e nevojshme të ndërtohet asnjë stadium i ri.
Me trofeun të ekspozuar përpara, Scholz shoqërohej mes të tjerëve nga ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Bernd Neuendorf dhe drejtori i organizimit të eventit, Philipp Lahm.
Gjermania ka një numër të lartë stadiumesh modernë, ku zhvillohen rregullisht edhe evente ndërkombëtare. Nga “Allianz Arena” në Mynih, te “Signal Iduna Park” në Dortmund. Ndeshjet e Kampionatit Europian do të zhvillohen edhe në Këln, Shtutgart, Frankfurt, Dyseldorf, Hamburg, Gelsenkirshen, Lajpcig dhe Berlin.
Ky do të jetë turneu i parë madhor që Gjermania organizon prej Botërorit të vitit 2006. Ai event nxiti një valë të jashtëzakonshme entuziazmi në të gjithë vendin dhe kujtohet si “përralla e verës”. Në atë periudhë, në çdo fan-zone të ndërtuar, në çdo qytet, ishin të pranishëm më tepër se një milion njerëz në çdo ndeshje.
Në të kaluarën, Gjermania ka organizuar edhe Europianin e vitit 1988. Finalja e këtij edicioni, ku të pranishme do të jenë 24 skuadra, do të luhet më 14 korrik, në stadiumin Olimpik të Berlinit. (A2 Televizion)