Energjia elektrike, Shqipëria eksportues neto në gjysmën e parë të vitit

Nga A2 CNN
25 Gusht 2023, 15:02 | Ekonomi
Energjia elektrike, Shqipëria eksportues neto në gjysmën e

Gjysma e parë e vitit 2023 rezultoi një nga periudhat më të mira hidrike për vendin tonë, ku arritëm jo vetëm të sigurojmë energjinë e nevojshme, por edhe të kthehemi në një eksportues neto.

Prodhimi nga hidrocentralet publike dhe ato private, së bashku me një pjesë të vogël nga fotovoltaikët, në Janar-Qershor arriti në 5 TWh, nga 3.6 teravat vitin e shkuar, apo gati 40% më shumë energji e prodhuar.

Reshjet e favorshme ndihmuan, që ndryshe nga viti i shkuar, ku u detyruam të importojmë për pjesën më të madhe të vitit, kësaj radhe të kthehemi në një eksportues neto të energjisë elektrike, me mbi 1 teravatorë.

Në Korrik dhe Gusht ndërkohë, KESH u detyrua t’i rikthehet importeve, përmes 5 ankandeve të ndryshme, duke shpenzuar 23.7 milionë euro për rreth 215 GWh, me një çmim mesatar prej 110 euro/njësi.

Megjithatë, importet për periudhën e thatë të verës janë krahasimisht më të ulëta se vitet e shkuara dhe rezerva energjetike e kaskadës është ndjeshëm mbi mesataren historike, duke bërë që vendi të presë më i qetë stinën e reshjeve. Nëse shirat nuk do të vonojnë, Shqipëria mund ta mbyllë të gjithë vitin si një eksportues neto të energjisë elektrike, siç ka ndodhur pak herë dekadat e fundit. Kjo në një periudhë kur çmimet në bursa po rriten sërish. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos