Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka kërkuar partnerit të NATO-s, Turqisë, të ndalojë blerjen e naftës ruse. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, duhet të ndalojë "blerjen e naftës nga Rusia për sa kohë që Rusia vazhdon këtë tërbim", tha Trump të enjten gjatë një takimi me Erdoganin në Shtëpinë e Bardhë. Ai po i referohej sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj Ukrainës. Trump i premtoi partnerit të NATO-s fundin e sanksioneve të mbrojtjes dhe një marrëveshje për avionë luftarakë me vlerë disa miliardë dollarë. Sanksionet e SHBA-së mund të hiqen "pothuajse menjëherë", tha Trump të enjten. Presidenti i SHBA-së shtoi se Erdogan mund të "ia dalë mbanë" me planin e tij për të blerë avionë luftarakë amerikanë F-16 dhe F-35.
"Është një nder ta kemi atë në Shtëpinë e Bardhë. Do të hamë drekë së bashku. Do të kemi një diskutim, një diskutim të madh. Bëjmë shumë tregti me Turqinë. Dhe do të vazhdojmë, do të bëjmë disa tregti shtesë. Ata duan të blejnë F-16, F-35 dhe disa gjëra të tjera. Dhe do të flasim me ta për këtë", tha Donald Trump, President i SHBA.
SHBA-të vendosën sanksione mbrojtëse ndaj Turqisë gjatë mandatit të parë të Trump në vitin 2020. Arsyeja për këtë ishte se Turqia kishte blerë sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400 pavarësisht kundërshtimit të SHBA-së. Marrëdhëniet midis dy vendeve u përkeqësuan më pas dhe Uashingtoni e përjashtoi Ankaranë nga programi i avionëve luftarakë F-35.
Në lidhje me situatën në Rripin e Gazës, Trump tha se shumë shpejt do të ketë një zgjidhje për ti dhënë fund luftës, shkruan A2 CNN.
"Ne kemi një dialog shumë të fortë që po zhvillohet me Arabinë Saudite, do të thoja se keni 4 ose 5 udhëheqës të vërtetë që po sillen mirë. Siç e dini, u takova me Katarin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, u takuam me Jordaninë. Mbreti i Jordanisë ishte atje. Patëm, një takim vërtet të shkëlqyer. Mendoj se shumë gjëra u përcaktuan në atë takim. Dhe duhet të takohem me Izraelin, dhe duhet ta bëj edhe këtë. Ata e dinë çfarë dua, dhe ne mendojmë, mendoj se mund ta arrijmë këtë. Shpresoj ta arrijmë paqen”.
Trump shprehu përsëri "zhgënjimin e tij të thellë" ndaj Presidentit rus Vladimir Putin. Rusia ka shpenzuar miliona e miliona dollarë për bomba, raketa dhe municione. Ai shtoi se vendi ka "humbur rreth një milion ushtarë". Megjithatë, praktikisht nuk ka pasur asnjë fitore në Ukrainë. "Mendoj se është koha të ndalemi", tha presidenti amerikan, duke iu drejtuar Putinit. Në përgjigje të pyetjes së një gazetari, Trump shtoi se Erdogan mund të luajë një rol ndërmjetësues midis Rusisë dhe Ukrainës. Presidenti turk mund të ketë "një ndikim të madh" në një marrëveshje të mundshme paqeje, tha presidenti amerikan. Të gjithë e respektojnë atë. (A2 Televizion)