12 viktima nga helmimi me monoksid karboni në vendin e skive në Gjeorgji

Nga A2 CNN
2024-12-16 12:01:00 | Bota

12 viktima nga helmimi me monoksid karboni në vendin e skive në

Dymbëdhjetë persona kanë vdekur nga helmimi me monoksid karboni në një vendpushim skish në Gjeorgji. Policia ka bërë të ditur se trupat e 11 turistëve të huaj dhe një shtetasi gjeorgjian u gjetën në një zonë gjumi mbi një restorant në Gudauri, vendpushimi më i madh dhe më i lartë i skive në ish-shtetin sovjetik.

Policia tha se "testet paraprake nuk tregojnë ndonjë gjurmë dhune në trupa" dhe dukej se ishte një aksident, njoftoi agjencia e lajmeve AFP.

Trupat u zbuluan të shtunën në katin e dytë të një ndërtese ku ndodhet një restorant indian, ndërsa të premten ishte ndezur një gjenerator me naftë, pasi ndërtesa humbi energjinë elektrike.

Autoritetet kanë hapur një hetim për ngjarjen dhe identiteti i viktimave nuk është bërë ende i ditur.

Gudauri është një destinacion popullor turistik për të apasionuarit pas skijimit dhe snowboardit, me një sërë aktivitetesh sportive dimërore për vizitorët e të gjitha niveleve.

Historia e tij daton në shekullin e 19-të kur njihej si një pikë tregtare në rrugën e lashtë ushtarake gjeorgjiane që lidh Rusinë me Gjeorgjinë.

Gudauri ndodhet në malet e Kaukazit në rajonin Mtskheta-Mtianeti në rreth 2,200 m mbi nivelin e detit dhe është rreth 120 km në veri të kryeqytetit të Gjeorgjisë Tbilisi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos