Rusët përparojnë në Kharkiv, kalojnë lumin Oskil për herë të parë nga 2022

Nga A2 CNN
2025-01-09 19:56:00 | Bota

Rusët përparojnë në Kharkiv, kalojnë lumin Oskil

Trupat ruse instaluan një urë në bregun perëndimor të lumit Oskil, duke rritur presionin mbi forcat ukrainase në rajonin e Kharkivit.

Ushtria ruse ishte përpjekur vazhdimisht të kalonte këtë lum, pranë qytetit të Kupyansk.

"Armiku po përpiqet të konsolidojë pozicionin e tij në komunitetin e Dvorichna dhe të zgjerojë urën", tha Andrii Besedin, kreu i komandës ushtarake të Kupyansk.

Ai paralajmëroi se situata është jashtëzakonisht e vështirë për forcat ukrainase pasi pushtuesit po përpiqen t'i zmbrapsin.

Ofensiva e re nga trupat ruse në këtë zonë vjen pas 2 vitesh. Ato e kishin kaluar lumin Oskil gjatë javëve të para të pushtimit në vitin 2022, por u zmbrapsën nga forcat ukrainase disa muaj më vonë.

Ndërkohë, Besedin raportoi se trupat ruse tani kanë përparuar deri në dy kilometra pranë qytetit të Kupyansk.

Trupat e Moskës po forcojnë pozicionet e tyre në disa sektorë të Ukrainës lindore dhe të hënën njoftuan se kishin pushtuar qytetin Kurakhove, në rajonin e Donetsk. Megjithatë, Kievi mohon që ky qytet i veçantë ra në duart e pushtuesve dhe pohon se luftimet në zonë janë ende të ndezura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos