
Kandidati socialist i Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai, ka folur për incidentin në të cilin ai u godit nga një anëtar i KZAZ-së i koalicionit “Bashkë fitojmë”, mbrëmjen e djeshme. Duke e konsideruar një ngjarje të turpshme, Isai thotë se u godit në mes të rrugës nga Esmeraldo Kacolli.
“Më vjen keq që të flas për diçka të tillë, por siç thotë populli kur gjarprit i vjen ngordhja del në rrugë. Më vjen turp që situata u duk sikur po xhirohej filmi “Kanan Tafili”. Më kishte ftuar e zonja e lokalit në Qafëzez për të pirë një kafe dhe ndenja shumë pak aty. Më vjen keq për incidentin e ndodhur dhe se kur të kërkohet në Google Kolonja, do të dalë dhe kjo histori e shëmtuar. Nuk dua të viktimizohem, as të bëj të dhunuarin. Ngjarja është e turpshme, sepse fushata ka qenë qytetare. Nervoziteti tregon panik. Ngjarja e ndodhur në mes të rrugës dhe personi që më goditi, është anëtar i KZAZ nga “Bashkë Fitojmë”. (A2 Televizion)