
Erzeni ka nisur të marrë formë për sezonin e ri. Pas shumë problemeve financiare dhe përzgjedhjes së stafit të ri drejtues, në dyshim mbetet ende trajneri i ri i skuadrës.
Edhe pse u konsiderua e kryer se trajneri Mirel Josa do të niste punën që këtë javë me ekipin, palët akoma nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Një situatë ende e paqartë në Shijak, ndonëse aktualisht klubi stërvitet nga trajneri Alfred Deliallisi.
Nga ana tjetër, drejtuesit kanë arritur akordin me 7 futbollistë, një pjesë e madhe prej tyre të njohur në futbollin shqiptar. Bëhet fjalë për Zenel Gavazaj, Enis Gavazaj, Matias Lloçi, Aristoteles Romero, Agim Zeka si dhe Aleksandro Kacbufi, që pak ditë më parë mbylli dhe bashkëpunimin me Egnatian.
Data zyrtare e fillimit të kampionatit është vendosur në 19 gusht, për këtë arsye koha që kanë në dispozicion është e limituar. Megjithatë, pavarësisht kësaj, tek Erzeni janë optimist se me shumë punë dhe me të tjera përforcime do të mbijetojnë në elitën e futbollit shqiptar. (A2 Televizion)