
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, do ta vizitojnë sot Kosovën, ndërsa nesër do të jenë në Serbi.
Vizita e tyre ka për qëllim të gjejë një zgjidhje për të dalë nga situata aktuale e tensionuar në veri, e cila rrezikon të dëmtojë atë që BE-ja e konsideron si sukses në dialog.
Përveç takimeve me drejtues të institucioneve në Prishtinë, pritet të vizitojnë edhe veriun e vendit.
Në një deklaratë për mediat, BE theksoi se qetësia duhet të rivendoset urgjentisht.
Prej 26 majit, serbët lokalë në komunat veriore; Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Më 29 maj, situata u përshkallëzua në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it.
Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Gjatë protestave, janë dëmtuar dhe djegur automjete të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe mediave.
Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka dënuar rëndë dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Dhuna e ka nxitur NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4000 trupave që veçse janë në vendin tonë.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.
Në mesin e kërkesave janë tërheqja e kryetarëve nga ndërtesat komunale dhe pezullimi i operacioneve policore afër ndërtesave në veri.
Disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në atë pjesë të vendit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë, duke respektuar ligjet e Kosovës.
Sa i përket Serbisë, faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga ky shtet që të ulë gjendjen e gatishmërisë ushtarake, dhe që të ndihmojë në uljen e tensioneve në mesin e protestuesve serbë në veri.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, më 2011.
Palët i kanë nënshkruar disa marrëveshje, por kryesisht nga Serbia nuk janë zbatuar. (A2 Televizion)