
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian unifikojnë forcat në tentativë për të zgjidhur krizën e fundit në veri të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti, priti në zyrë dy përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, atë të Brukselit, Miroslav Lajçak, dhe për të dytën herë në pak orë atë të Uashingtonit, Gabriel Escobar.
Temë diskutimi ka qenë natyrisht heqja e barrikadave të vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës, por gjithashtu edhe propozimi final i BE-së për përmbylljen e dialogut Prishtinë-Beograd. Dyshja diplomatike, Escobar dhe Lajçak, do të udhëtojnë nesër dhe për në Serbi, ku do të takohen me presidentin, Aleksandër Vuçiç dhe udhëheqës të tjerë të vendit. Kërkesa kryesore pritet që të jetë për heqjen e barrikadave dhe rikthimin e qetësisë në Kosovë.
Ndërkohë, përpara takimit me Kurtin, Escobar njoftoi se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë kategorikisht kthimin e forcave serbe në Kosovë, pas paralajmërimit të Vuçiç se do ta kërkonte një leje të tillë nga KFOR-i.
“Ne e kundërshtojmë kategorikisht këtë. E hedhim poshtë kategorikisht. Nuk e mbështesim fare. Dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikë”, u shpreh Escobar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. (A2 Televizion)