
Kosova është palë konstruktive në dialogun me Serbinë dhe e gatshme për një marrëveshje me njohjen reciproke në qendër.
Kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti pas takimit të zhvilluar me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili vizitoi të mërkurën Prishtinën.
"Përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete që i japim, Republika e Kosovës ka treguar se është palë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut. Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për të arritur marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër", tha Kurti.
Sakaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osamani, e cila po ashtu zhvilloi një takim me zyrtarin e lartë amerikan, theksoi se Serbia po përkrah politikisht dhe financiarisht strukturat ilegale në veri.
“Shfrytëzova rastin për të shprehur pakënaqësinë tonë për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga ana e Serbisë, duke përfshirë në veçanti refuzimin e vazhdueshëm nga ana e tyre për shpërbërjen e strukturave ilegale dhe kriminale, të cilat vazhdojnë t’i kërcënojnë edhe frikësojnë serbët e Kosovës dhe udhëhiqen nga individë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara”, tha Osmani.
Escobar nga ana tjetër ritheksoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara dhe përpjekjet e vendit për integrim në strukturat euroatlantike.
“Është një partneritet i palëkundur mes Kosovës dhe SHBA-së. Diskutuam për çështjet e marrëdhënieve me Serbinë dhe implikimet rajonale nga dialogu. Po ashtu, edhe rëndësinë për të vazhduar mbështetjen amerikane për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë tuaj. Dua të theksoj sërish se SHBA-ja e mbështet Kosovën në gjitha aspiratat e saj Euroatlantike dhe do të shohim mundësitë për të pasur partneritet me Republikën e Kosovës për të mundësuar një gjë të tillë”, tha Gabriel Escobar.
Vizita e Escobarit, vjen disa ditë pas asaj të të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajcal, dhe në prag të skadimit të afatit për riregjistrim të targave, më 31 tetor. Bashkimi Europian dhe SHBA-ja kanë bërë thirrje për gjetjen e një zgjidhje dhe shmangien e tensioneve. (A2 Televizion)