Osmani takon ambasadorët: Të mos lejohet të vendosen kritere shtesë për vizat

Nga A2 CNN
17 Tetor 2022, 20:48 | Kosova
Osmani takon ambasadorët: Të mos lejohet të vendosen kritere

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se është e rëndësishme që shtetet e Bashkimit Evropian të respektojnë rekomandimin e Komisionit Evropian, sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovës dhe "të mos lejohet në asnjë mënyrë që të vendosen kritere shtesë".

Këto deklarata Osmani i bëri gjatë takimeve që zhvilloi sot me ambasadorët e akredituar në Prishtinë nga Gjermania, Italia dhe Sllovenia, të cilëve u kërkoi përkrahje në procesin e liberalizimit të vizave.

Sipas njoftimit për media nga Presidenca e Kosovës, Osmani tha se vendosja e kritereve shtesë për liberalizimin e vizave për Kosovën “do të ndikonte në mohimin e një të drejte të qytetarëve tanë dhe do ta cenonte kredibilitetin e BE-së”.

Ky takim erdhi pas takimit të 13 tetorit ku besohet se zyrtarët francezë kanë kërkuar që procesi i liberalizimit të vizave të lidhet me sistemin ETIAS. Kjo gjë është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

Pas takimit të 13 tetorit, Presidenca çeke ka thënë se në mënyrë që të ecet përpara në këtë temë, “është e domosdoshme që të qartësohen disa çështje, dhe të vazhdohet me diskutimet”.

Takimi i radhës i grupit punues për vizat i Këshillit të BE-së është paraparë të mbahet në nëntor.

Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën në vitin 2018.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit. Ky sistem, që është krejtësisht elektronik, mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Shengen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos