Europa zbut kufizimet, OBSH apelon për kujdes dhe heqje graduale të masave

Nga A2 CNN
2 Shkurt 2022, 16:29 | Bota
Europa zbut kufizimet, OBSH apelon për kujdes dhe heqje graduale të

Norvegjia u bë shteti i dytë skandinav që hoqi shumicën e kufizimeve për frenimin e pandemisë. Megjithë rritjen e infektimeve si pasojë e variantit Omicron, niveli i shtrimeve në spitale ka mbetur i qëndrueshëm, në vendin ku 91 përqind e popullsisë është vaksinuar.

Restorantet do të lejohen sërish të shërbejnë pije alkoolike përtej orës 11 të mbrëmjes, puna nga shtëpia nuk do të jetë më e detyrueshme dhe do të të hiqet po ashtu masa qe kufizonte deri në 10 numrin e vizitorëve në banesat private.

Norvegjia e mori vendimin pas Danimarkës që u bë shteti i parë i BE që hoqi të gjitha kufizimet pavarësisht shifrave rekord të infektimit. Po ashtu, francezët u zgjuan me më shumë liri këtë të mërkurë, kur u shfuqizuan një sërë masash anticovid. Qytetarët nuk do të jenë më të detyruar të mbajnë maska në ambiente të jashtme apo të punojnë nga shtëpia. U hoq gjithashtu masat që kufizonte pjesëmarrjen në ambiente sportive dhe argëtuese.

“Ndihem i çliruar nga maska, pasi ishte shumë e parehatshme. Mendoj gjithashtu se është e kotë ta mbash maskën në ambient të hapur, një kufizim i panevojshëm”, tha Freddy Djebali, mjek.

Ndërsa infektimet me koronavirus po bien, e po ashtu edhe shtrimet në spital, Franca bëhet për fazën e dytë të heqjes së kufizimeve me 16 shkurt, kur pritet të hapen edhe klubet e natës. Sakaq, në Gjermani janë shtuar thirrjet për heqjen e kufizimeve. Një ministër tha të mërkurën se shumica e masave mund të shfuqizohen muajin e ardhshëm pasi ekspertët parashikojnë rënie të shifrave. Megjithatë ekziston frika se variante të reja mund ta kthejnë edhe një herë trajektoren e pandemisë. Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se disa shtete nuk e kanë kaluar pikun dhe bëri thirrje për lehtësim gradual të masave.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos