
Sot në mbrëmje kombëtarja e volejbollit për meshkuj do të tentojë mrekullinë përballë Bosnjë-Hercegovinës në Parkun Olimpik, Feti Borova.
Pas dy fitoreve radhas me Maqedoninë e Veriut, djemtë kuqezinj kanë marrë zemër për të blinduar kualifikimin që këtë ndeshje si takimin e fundit që luajnë në shtëpi.
Fitorja ndaj Bosnjë-Hercegovinës, mund të jetë vendimtare për në fazën tjetër të Ligës së Argjendtë të Europës. Skuadra e drejtuar nga Jani Melka duhet të marrë 3 pikë nga ky takim ose e thënë ndryshe të fitojë 3-0 apo 3-1 me sete për të siguruar kalimin më tej.
Pasditen e së martës, skuadra zhvilloi dhe seancën e fundit stërvitore ku grupi u pa i plotë dhe gati për sfidën. Përveç kualifikimit, djemtë kuqezinj do të kërkojnë të hakmerren dhe për atë humbje 3-2 në ndeshjen e parë në transfertë.
Aktualisht, Shqipëria pozicionohet e dyta me 7 pikë, 3 më shumë se Maqedonia e Veriut. Takimi me Bosnjë-Hercegovinën luhet sot në orën 20:15 në Parkun Olimpik "Feti Borova", ndërsa në ndeshjen e fundit kuqezinjtë, do të përballen me Rumaninë në transfertë. (A2 Televizion)