
Max Verstappen duhet të presë vitin 2021 për të zhvilluar një garë përpara tifozëve të tij. Organizatorët e Çmimit të Madh të Holandës kanë njoftuar se pista e Zandvoort nuk do të zhvillojë garën që ishte programuar për Botërorin e këtij viti të Formula 1, për shkak të pamundësisë për ta zhvilluar me tifozë nga koronavirusi.
“Jemi gati për të zhvilluar një Çmim të Madh. Bashkë me F1 shikuam mundësinë e zhvillimit të garës pa publik, por do të na pëlqente që rikthimi në F1 i pistës së Zandvoort të bëhej bashkë me tifozët. Për këtë arsye ju kërkojmë që të bëni durim. Kemi pritur 35 vite, kështu që mund të presim një vit më shumë”, lexohet në komunikatën e organizatorëve.
Gjithashtu, komunikata sqaron se biletat e blera nga tifozët për garën e këtij viti do të mund të përdoren edhe në 2021. Për ata tifozë që duan paratë e tyre mbrapsht, do të funksionojë një sistem rimbursimi. (A2 Televizion)