
Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve lançuan sot projektin e fiskalizimit. Në thelb parashikon që bizneset të mos bëjnë më deklarime me kasë fiskale apo të lëshojnë fatura dorazi, por në rrugë elektronike. E thënë ndryshe, nëpërmjet një aplikacioni online nga kompjuteri, tableta apo celulari. Për qeverinë, kjo është një formë për të ulur informalitetin dhe rritur të ardhurat.
Po a mjafton kaq? Kjo në kushtet kur prej mëse 3 javësh, tatimorët janë tashmë në terren për të kontrolluar bizneset që shmangin xhiron dhe nuk sigurojnë punonjësit kryesisht në sektorët e turizmit, ndërtimit, karburanteve dhe tregut të qirave. Pas një kritike të fortë të bërë nga kryeministri, që deklaroi se për shkak të mungesës së të ardhurave nga tatimet, buxheti nuk ka para për investime apo për të paguar politikat sociale. Të ftuar në studion e A2 Business Week për këtë çështje ishin të ftuar ish-zv/drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Flobenc Dilaveri, Bledar Taushani nga Drejtoria Ligjore dhe Teknike në DPT dhe Megi Rrëçeku nga Sektori i Monitorimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Sipas ekspertit të tatimeve, Bledar Taushani, ligji i ri i monitorimit dhe qarkullimit të faturave nënkupton kontrollin e administratës tatimore mbi subjektet në kohë reale, të lëshimit të faturave dhe qarkullimit të mallit. Por mbetet ende e paqartë nëse kasat aktuale do të vazhdojnë operimin dhe me sistemin e ri.
“Në lidhje me kasat fiskale jemi ende në një draft ligj, nuk kemi ende një ligj dhe sot u lançua për konsultim publik. Kasat janë të përshtatshme me këtë aplikacion. Ligji është një direktivë e BE që e aplikojnë të gjitha shtetet anëtare. Po përshtatim modelin që aktualisht e kanë disa shtete, në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE. Me monitorimin e faturave në kohë reale, administrata tatimore do të ketë një informacion më të plotë rreth faturave, qarkullimit të mallrave. Fiskalizimi do të kërkojë lidhje me internetin”, u shpreh Taushani.
Ndërsa ish zv/drejtori i Tatimeve, Dilaveri shprehet skeptik për këtë draftligj. Sipas tij zbatimit i tij do të hasë vështirësi në zbatim nëpër rrethe për shkak të mungesës së njohurive teknologjike.
“Kasat fiskale dalin jashtë qarkullimit, do të fillojnë të përdoren printerat fiskalë. Kompanitë e kasave mund t’i përshtasin pajisjet e tyre, por kjo do të kishte kosto shtesë. Biznesi i ka blerë me mendimin që i ka të përjetshme kasat paguan dhe koston për mirëmbjatjen e tyre. Çdo konsultim sa herë që është bërë ka përfunduar në atë planin që ka patur qeverie. Unë mendoja që ishte një mendim për të shitur printerat fiskalë”, tha Dilaveri. (A2 Televizion)