
Kryetari i ri i bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka njoftuar qëllimin e tij për të vepruar shpejt për të mbrojtur qytetin nga politikat e mundshme të administratës së Donald Trump. Në një intervistë me New York Times, kryetari i sapozgjedhur i bashkisë shpjegoi se ai dhe ekipi i tij po punojnë për të organizuar një strukturë të madhe ligjore me 200 avokatë të gatshëm për të mbrojtur “Mollën e Madhe” në gjykatë, raporton A2 CNN.
"Po konsultohem me këshilltarët e mi për të vepruar tani", tha Mamdani, duke theksuar nevojën për të siguruar një politikë në përputhje me pritjet e qytetarëve. "Mbështetësit e mi dhe lëvizja jonë duan një politikë që vë vërtet nevojat e punëtorëve në qendër", shtoi ai, duke e quajtur sistemin tatimor amerikan "një nga shumë shembujt se si amerikanët janë tradhtuar", shkruan A2 CNN.
Pas fitores në zgjedhje që shënoi një pikë kthese në politikën e qytetit, Mamdani tani po përgatitet për fazën më komplekse, zbatimin e programit të tij. Ndër masat e planifikuara janë ngrirja e rritjes së qirasë, kopshtet dhe transporti publik falas, si dhe krijimi i dyqaneve ushqimore komunale me çmime të rregulluara, shkruan A2 CNN.
Kryebashkiaku përsëriti dëshirën e tij për ta bërë Nju Jorkun një qytet më të barabartë dhe më të arritshëm, duke synuar të luftojë pabarazitë ekonomike dhe sociale që, sipas tij, janë përkeqësuar vitet e fundit. (A2 Televizion)
