“Faturat e "21 janarit" Garda-Llupos: Na kthe 60 mln lekë

Nga A2 CNN
7 Prill 2019, 15:57 | Aktualitet

Gjykata e Lartë ia ka lënë në dorë Administratives shqyrtimin e padisë së bërë nga Garda e Republikës kundër Agim Llupos, ish-gardistit të fajësuar për vrasjen nga pakujdesia të Ziver Veizit, një prej 4 viktimave të 21 janarit 2011. Në këtë padi Garda i kërkon Llupos t’i kthejë gati 60 milionë lekë të rinj, si shumë e shpenzuar prej saj për dëmshpërblimin e familjarëve të viktimës Veizi. Në masën e dëmshpërblimit futen edhe shpenzimet e bëra për shërbimin e avokatëve, ekspertëve dhe psikologut në përballjen gjyqësore të Gardës me familjen e të vrarit para kryeministrisë. Padia e Gardës kundër ish-shefit të njësisë speciale, Llupo, u regjistrua në Gjykatën e Tiranës në nëntor 2019, e cila një muaj më vonë ia përcolli për kompetencë Gjykatës Administrative. Garda bëri ankim në Gjykatën e Lartë, por kjo e fundit konfirmoi qëndrimin e Shkallës së Parë. Kolegji Civil tre anëtarësh i Gjykatës së Lartë argumentonte se mosmarrëveshja në këtë rast buron nga marrëdhënia e punës që kanë pasur Garda e Republikës dhe Agim Llupos e si e tillë ishte mos marrëveshje administrative. Në nëntor të vitit 2018 një padi e ngjashme u bë nga Garda edhe kundrejt Ndrea Prendit, ish-komandantin e saj në vitin 2011. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos