Sir Alex Ferguson ka marrë si dhuratë një set me Lego për të formuar stadiumin “Old Trafford”, ku ka korrur aq shumë suksese gjatë karrierës së tij legjendare me Manchester United.
Sipas mediave britanike, trajneri 78-vjeçar kishte parë modelin e “Teatrit të Ëndrrave” online dhe kishte kontaktuar me klubin për të pasur një të tillë. Dëshira iu plotësua menjëherë nga drejtuesit, për të kaluar orët e gjata të izolimit për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Seti ka 3898 pjesë dhe duhen plot 7 orë e gjysmë për të ndërtuar stadiumin, në të cilin përfshihet edhe një statujë e Sir Alex dhe një tribunë e pagëzuar me emrin e tij.
Loja kushton 250 paund dhe përveç skocezit, duket se ka ndihmuar edhe figura të tjera të rëndësishme të historisë së klubit për të kaluar kohën së fundmi. Trajneri Ole Gunnar Solskjaer zhvilloi një sfidë me legjendën e klubit Brian Robson, se cili do të ndërtonte më shpejt stadiumin, por u dorëzua pa e përfunduar.
Që prej nisjes së izolimit në mars, shkruajnë mediat britanike, Sir Alex nuk është larguar për asnjë moment nga shtëpia e tij në Uilmslou. (A2 Televizion)