Ferrari në krizë, Luca di Montezemolo: Të pranohet dështimi dhe të mendohet për sezonin e ri

Nga A2 CNN
20 Korrik 2020, 22:55 | Sporte të tjera
Ferrari në krizë, Luca di Montezemolo: Të pranohet dështimi

Edhe pse janë zhvilluar vetëm 3 gara këtë sezon në Formula 1, për ish-presidentin e Ferrarit, Luca di Montezemolo, “kokëkuqja” ka dështuar këtë sezon.

Ai u bën thirrje drejtuesve aktualë që të mendojnë menjëherë për sezonin e ardhshëm, pasi në të kundërt ringritja do të jetë shumë e vështirë.

“Nëse makina nuk do të përmirësohet ndjeshëm e shoh akoma më të keq edhe sezonin e ardhshëm. Skuadra duhet të përqendrohet te rregullat e reja, që janë revolucionare dhe duhet një ekip shumë i fortë për t’u përballur me problematikat. Mendoj se drejtuesit duhet të kenë kurajën të pranojnë dështimin për këtë sezon dhe të nisin punën për sezonin e ri. Është koha për zgjedhje kurajoze, rezultatet e të cilave do të shihen pas disa kohësh”, u shpreh Montezemolo.

Më tej, ai thekson se skuadrës i mungon eksperienca dhe shumë herë kjo ka qenë shkaktare e dështimeve.

“Ka shumë fraksione brenda skuadrës dhe Binotto më duket se është lënë i vetëm për të përballuar situatën e vështirë. Shumë herë skuadra ka gabuar vetëm nga mungesa e eksperiencës, apo nga dëshira për t’u rikthyer sa më shpejt te suksesi. Nuk mund të mendosh ta bësh gjithçka vetë, sidomos kur e di që ke disa pika të dobëta dhe e shoh akoma më të vështirë garën e Silvertone, ku shpejtësia vlen shumë”, deklaroi Montezemolo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos